Kuvendi i Shqipërisë miratoi në parim ratifikimin e marrëveshjes për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Kartën e Bordit të Paqes. Vendimi u mor me 110 vota pro, pa asnjë votë kundër, ndërsa pati një abstenim nga deputeti i Partisë Lëvizja Bashkë, Redi Muçi.
Ratifikimi u votua pas diskutimeve dhe debateve të zhvilluara gjatë seancës plenare mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Në sallë ishin të pranishëm 110 deputetë. Më herët, në parim, marrëveshja ishte votuar me 113 vota pro.
Seanca plenare u zhvillua për shqyrtimin dhe miratimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes”.
Më parë, Kuvendi kishte miratuar kërkesën për shqyrtimin e projektligjit me procedurë të përshpejtuar, me 80 vota pro dhe 22 vota kundër. Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, deklaroi se me miratimin e kësaj kërkese u vendos që projektligji të diskutohej dhe të miratohej brenda të njëjtës seancë plenare.
Marrëveshja ishte miratuar më herët në Komisionin për Punët e Jashtme me 13 vota pro dhe asnjë kundër, ndërsa Këshilli i Ministrave e kishte miratuar në parim më 21 janar.
Ligji i miratuar synon ratifikimin e marrëveshjes së aderimit të Shqipërisë në Bordin e Paqes, i cili parashikohet të krijohet si një organizatë ndërkombëtare me personalitet juridik ndërkombëtar. Qëllimi i tij është promovimi i stabilitetit, rivendosja e qeverisjes së besueshme dhe të ligjshme, si dhe garantimi i paqes së qëndrueshme në zonat e prekura ose të kërcënuara nga konflikti.
Sipas marrëveshjes, Bordi i Paqes do të ushtrojë funksione të ndërtimit të paqes në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe Kartën përkatëse, duke përfshirë zhvillimin dhe përhapjen e praktikave më të mira për t’u zbatuar nga shtetet dhe komunitetet që synojnë paqen.
Seanca plenare u kërkua pasditen e një dite më parë nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, përmes një shkrese zyrtare, me qëllim ratifikimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes për pranimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes.


