Seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë do të zhvillohet ditën e mërkurë në orën 10:00, me urdhër të Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.
Në rendin e ditës janë dy projektvendime: “Për caktimin e përbërjes së komisioneve të përhershme të Kuvendit” dhe “Për caktimin e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme”.
Sot u zhvillua nën drejtimin e Peleshit mbledhja e Konferencës së Kryetarëve, ku u miratuan listat e anëtarëve dhe anëtarëve zëvendësues të komisioneve. Propozime për këto pika janë depozituar vetëm nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste dhe çështja i kalon miratimit të seancës plenare.
Në seancën plenare të 16 shtatorit, Kuvendi miratoi ndryshimet në rregulloren e parlamentit me 79 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim, duke parashikuar krijimin e 11 komisioneve të përhershme. Opozita ka kundërshtuar ndryshimin, duke paralajmëruar apel në Gjykatën Kushtetuese, me arsyetimin se procesi ishte përshpejtuar pa dakordësinë e pakicës.
Lista e 11 komisioneve të përhershme të Kuvendit:
Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat
Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike
Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe Mbrojtjen
Komisioni për Edukimin, Shkencën dhe Sportet
Komisioni për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale
Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm
Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik
Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural
Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën
Komisioni për Europën dhe Punët e Jashtme
Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale
Seanca e fundit plenare, e datës 18 shtator, u mbyll pas 25 minutash për shkak të tensioneve dhe dhunës së deputetëve të opozitës. Gjatë saj, kryetari i grupit socialist, Taulant Balla, propozoi kalimin e menjëhershëm në votim pasi opozita pengoi fjalën e kryeministrit Edi Rama mbi programin qeverisës dhe përbërjen e qeverisë. Projektvendimi “Për miratimin e programit politik dhe përbërjes së Këshillit të Ministrave” u miratua me 82 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim.


