TIRANË– Gjashtë ditë pas seancës së tensionuar, ku qeveria “Rama4” mori votëbesimin në vetëm 25 minuta për shkak të kaosit të krijuar nga opozita, Kuvendi do të mblidhet sërish sot në orën 10:00 për seancën e radhës plenare.
Në rendin e ditës parashikohet votimi për përbërjen e kryetarëve dhe anëtarëve të komisioneve parlamentare, të cilat kanë qenë jo funksionale deri tani. Deri më sot, janë miratuar vetëm kryetarët dhe nënkryetarët e propozuar nga Partia Socialiste, ndërsa mungesa e përfaqësuesve të opozitës ka bllokuar plotësimin e komisioneve të tjera.
Pas një periudhe ngërçi, PD ka dorëzuar një ditë më parë emrat për katër komisionet parlamentare që i takojnë për t’i drejtuar, duke i hapur rrugë zhbllokimit të situatës.
Partia Demokratike i kishte përcaktuar më herët drejtuesit dhe nënkryetarët për komisionet që i takojnë opozitës dhe ato që drejtohen nga mazhoranca, por nuk i kishte depozituar zyrtarisht në Kuvend për shkak të kundërshtimit ndaj rregullores së re parlamentare./Radar.al


