Detaje të reja kanë dalë në pah nga gjendja shëndetësore e kryepeshkopit të Shqipërisë, Anastas Janullatos.
Sipas njoftimit të fundit mjekësor, gjendja e hierarkut 95-vjeçar mësohet se është përkeqësuar rëndë, raportojnë mediat greke.
“Kryeministri grek Qirjakos Miçotaqis dhe kryepeshkopi i Athinës dhe gjithë Greqisë Ieronymos vizituan dje spitalin “Evangelismos”, për t’u informuar nga profesoresha e Pulmologjisë dhe Mjekimit Intensiv, Anastasia Kotanidou, për ecurinë e shëndetit të tij. Sot në mëngjes, në spital ishte edhe ministri i Arsimit dhe Çështjeve Fetare Kyriakos Pierrakakis”, bëjnë me dije mediat greke.
Kujtojmë se kryepeshkopi u shtrua në spital më 3 janar, pasi u transportua me avion nga Tirana.
Fillimisht ai u shtrua në një spital të kryeqytetit shqiptar më 30 dhjetor për shkak të përkeqësimit të temperaturave që po e shqetësonin, por pësoi një përkeqësim të rëndë kur pësoi hemorragji gastrointestinale.
Transferimi i tij në Greqi u krye me një avion të Forcave Ajrore.


