TIRANË– Kryeministri Edi Rama ditën e sotme nga mbledhja me Grupin Parlamentar ka bërë me dije se Belinda Balluku ia ka dorëzuar tre herë dorëheqjen nga posti i zëvendës kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së, ku u bënë me dije ndryshimet ligjore, kryeministri theksoi se nuk ia pranuar dorëheqjen sepse do të bëhej fjalë për një largim që kalon jashtë territorit të pushtetit ekzekutiv.
Shefi i qeverisë thotë se nuk do ta pranojë dorëheqjen “deri kur të plotësohen kushtet”.
“Belinda Balluku ma ka dorëzuar tre herë dorëheqjen. I kam atje në dosje. Një herë kur iu ngrit akuza, e dyta ku iu bë pezullimi i parë dhe herën e tretë pasi GJK nuk mori vendim dhe të tre herët jam unë që kam refuzuar dorëheqjen. Sepse dorëheqjen nën presionin e një fuqie që ka dalë nga territori i vet dhe është futur në territorin e pavarësisë së pushtetit ekzekutiv nuk ka. I jam falenderues për faktin që nuk ka persistuar por ka vazhduar ta marrë gjithë atë baltë mbi fytyrë se unë nuk e pranoj dorëheqjen deri kur të plotësohen kushtet. Se kur plotësohen kushtet se përcakton dot as prokurori, as gjykatësi i seancës paraprake, as media dhe as gjyqi popullor. Se nëse do të hynim në këtë logjikë do t’i hapnim rrugë një historie që do të dëmtonte kapacitetin e pushtetit ekzekutiv për të qeverisur. Kush më tregon Gjermaninë apo Danimarkën iu them se jemi në kushte të ndryshme. Në Shqipëri jemi në një fazë revolucionare, transformuese, përmbysjeje të një sistemi të kalbur, të një historie kur tradita ka qenë dhe mbetet problemi më i madh për të ndërtuar një sistem gjyqësor demokratik se shkon në të kundërtën e lirisë dhe jemi në kushtet kur duke i dhënë pavarësinë e plotë pushteti gjyqësor dhe ngritur struktura speciale për të luftuar ne që jemi ata që duhet të qeverisin, është e rëndësishme që të jemi të vëmendshëm për të ruajtur balancën që në mënyrë të përsëritur rrezikon të prishet nga aventurizmi i një prokurori këtu e një gjykatësi atje.”-deklaroi Rama./Radar.al


