Pas një ndërprerjeje 17-vjeçare, Kroacia ka vendosur të rikthejë shërbimin e detyrueshëm ushtarak, në një formë të shkurtuar dhe të përshtatur me kohën. Vendimi u bë publik nga ministri i Mbrojtjes Ivan Anushiç dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjenerali Tihomir Kundid, gjatë një konference në Zagreb.
“Stërvitja Bazë Ushtarake – TVO” do të zgjasë 8 javë dhe do të jetë e detyrueshme për qytetarët që mbushin 19 vjeç, duke akomoduar rreth 4,000 rekrutë në vit, në kazermat e Kninit, Slunjit dhe Pozhegës.
Rekrutët do të paguhen 1,100 euro neto në muaj, dhe kjo periudhë do të llogaritet si përvojë pune. Femrat nuk janë të detyruara të marrin pjesë, por mund të aplikojnë vullnetarisht, sidomos nëse synojnë të futen në ushtrinë aktive.
Programi do të përqendrohet në trajnimin fizik, përdorimin e armëve, taktika mbrojtëse, komunikim dhe displinë. Rregulli i përditshëm është i rreptë, nga ora 06:00 deri në 22:00, me leje të kufizuara për dalje nga kazerma.
Ligji parashikon përjashtime dhe shtyrje për arsye shëndetësore, sociale, arsimore apo profesionale. Studentët, sportistët, personat që jetojnë jashtë vendit apo ata që përballen me vështirësi ekonomike mund të kërkojnë shtyrje deri në moshën 29 vjeç.
Ndërkohë, për personat që kundërshtojnë shërbimin për arsye morale apo fetare, ofrohet shërbim civil alternativ, në institucione shtetërore ose mbrojtje civile, për një periudhë 3-4 mujore.
Qeveria kroate e sheh këtë nismë si një mjet për të rritur sigurinë kombëtare dhe për të ndërtuar disiplinë dhe aftësi praktike te të rinjtë, duke u ofruar edhe përparësi në punësim pas përfundimit të trajnimit.


