Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, reagoi ashpër pas vendimit të Gjykatës së Bosnjë e Hercegovinës që dënoi me burg njëvjeçar presidentin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik. Ai paralajmëroi një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë, duke e cilësuar situatën si më të rëndën që nga viti 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë.
“Gjithë shteti ynë, udhëheqja dhe unë personalisht, jemi nën presion të jashtëzakonshëm nga jashtë. Serbia nuk ka qenë në një pozitë kaq të vështirë që nga viti 2008”, tha Vuçiç, duke shtuar se i janë bërë thirrje për reagim nga “fuqi të huaja”.
Më 1 gusht, Gjykata e Bosnjës konfirmoi vendimin e shkallës së parë, duke dënuar Dodikun me një vit burg dhe gjashtë vjet ndalim nga çdo funksion politik për moszbatimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar. Aktgjykimi është tashmë i formës së prerë dhe nuk lejon apelim.
Nga Banjalluka, Dodik refuzoi ta njohë vendimin dhe paralajmëroi se Kuvendi i Republikës Sërpska do të marrë masa të reja. “Unë nuk e pranoj këtë dënim. Institucionet e RS-së do të vendosin për hapat e ardhshëm. Do të kërkoj mbështetjen e Serbisë, por edhe të Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara”, tha ai.
Avokatët e Dodikut njoftuan se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës, ndërsa vetë Dodik akuzohet për nënshkrimin e ligjeve të anuluara nga Përfaqësuesi i Lartë, të cilat synonin të pengonin zbatimin e vendimeve kushtetuese në territorin e Republikës Sërpska.


