Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, prezantoi sot Kreshnik Bajraktarin si drejtor të ri të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR).
Në ceremoninë e prezantimit, Balluku vlerësoi arritjet e institucionit ndër vite dhe nënvizoi sfidat e reja për rritjen e mëtejshme të cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve.
Ajo theksoi se Bajraktari, me formim si inxhinier mekanik dhe eksperiencë të gjatë në fushën e transportit publik e infrastrukturës, përfshirë drejtimin e Portit të Durrësit, është një drejtues i përgjegjshëm dhe mbështetës, që do të vijojë misionin për modernizimin e plotë të transportit rrugor në vend.
Nga ana e tij, Bajraktari u shpreh se drejtimi i DPSHTRR-së është një “privilegj dhe përgjegjësi e madhe”, duke vënë theksin tek nevoja për përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve publike.
Balluku rikujtoi se para reformës, qytetarët përballeshin me vonesa, radhë të gjata dhe aplikime që zgjatnin me javë. Por, që prej vitit 2019, falë ndryshimit rrënjësor të strukturës dhe filozofisë së punës, DPSHTRR është kthyer në një model inovacioni dhe efikasiteti, me shërbime më të shpejta dhe të digjitalizuara në të gjitha drejtoritë rajonale.
Në vitet 2019–2020, institucioni ndërmori një investim të plotë në arkiva dhe infrastrukturë, duke shpëtuar nga degradimi dokumentacionin historik në qytete si Fieri e Laçi, dhe duke hapur zyra të reja shërbimi më afër qytetarëve.
Një nga nismat që Balluku vlerësoi ishte edhe programi “Retro”, që i ka dhënë një dimension kulturor pasionit për automjetet klasike.
Sipas të dhënave të paraqitura nga ministrja, sot DPSHTRR ofron 9 herë më shumë shërbime se në vitin 2018 – një rritje prej 425 mijë shërbimesh, që ka kursyer 21 milionë kilometra udhëtim, 1,4 milionë litra karburant dhe rreth 260 milionë lekë shpenzime për qytetarët.
Institucioni ka tashmë 17 zyra të reja shërbimi në të gjithë vendin dhe qendra trajnimi moderne për drejtues mjetesh në Vlorë dhe Fushë-Prezë, të cilat vizitohen nga rreth 25 mijë qytetarë çdo vit. Vetëm në shtatë muajt e parë të vitit 2025 janë regjistruar 12 mijë pjesëmarrës në këto trajnime.
Siguri më e lartë në qarkullim dhe standarde europiane
Në funksion të sigurisë rrugore, Balluku theksoi se po zbatohet një proces rigoroz për rikualifikimin e drejtuesve të mjeteve që humbasin pikët e patentës — me vetëm 13,4% të 2359 aplikuesve që kanë kaluar testin, duke garantuar rikthimin në rrugë vetëm të drejtuesve të përgjegjshëm.
Një tjetër reformë e rëndësishme është kolaudimi teknik i automjeteve, i cili më parë ishte i dhënë me koncesion. Pas kalimit nën administrimin e DPSHTRR-së, procesi është bërë transparent, i standardizuar dhe pa ndërhyrje personale.
Nga viti 2020 deri më sot, 1,6 milionë mjete kanë kaluar kontrollin teknik, ndërsa gati 500 mijë janë refuzuar për mospërputhje me kriteret e sigurisë.
Ministrja shtoi se digjitalizimi i plotë i shërbimeve ka ulur ndjeshëm burokracitë dhe kohën e pritjes, duke afruar qytetarët me administratën.
Synimi afatgjatë, sipas Ballukut, është ofrimi i shërbimeve të shpejta, transparente dhe në përputhje me standardet e Bashkimit Europian, ndërsa Kodi Rrugor dhe kuadri ligjor po përshtaten me rregullat e BE-së.


