Qytetarët dhe bizneset po tregojnë më shumë përgjegjshmëri në pagimin e borxheve, veçanërisht para pushimeve dhe festave, sipas treguesve të fundit të Bankës së Shqipërisë.
Të dhënat tregojnë se pagesat ndaj kredive ishin më të rregullta në nëntor, duke bërë që huatë me probleme të zbresin në 4.19% të totalit të huave. Ky është një përmirësim i lehtë krahasuar me muajt e mëparshëm dhe një shenjë pozitive në fundvit.
Rritja e të ardhurave dhe stabiliteti në punësim duket se kanë forcuar aftësinë paguese të individëve, ndërsa ulja e normave të interesit gjatë tremujorit të dytë të vitit 2025 ka lehtësuar kostot e kredisë dhe ka ndihmuar qytetarët të paguajnë më lehtë borxhet.
Përveç ndikimeve të politikës monetare dhe ecurisë së ekonomisë, edhe ristrukturimet që bankat kryejnë po përmirësojnë raportin e kredive me probleme.
Në fund të nëntorit, portofoli total i kredisë nga 11 bankat tregtare në vend ishte 855.5 miliardë lekë, nga të cilat 38.7 miliardë lekë ishin hua të papaguara në kohë. Huaja për shtëpi mbetet segmenti dominues i portofolit, ndërsa masat e FMN për kufizime ndaj kredimarrësve për pasuri të paluajtshme po ndihmojnë në stabilizimin e tregut dhe mbushjen e boshllëqeve të mëparshme.
Analistët theksojnë se pastrimi i portofolave të bankave dhe rikuperimi më i shpejtë i huave të vjetra po japin rezultate, duke treguar se sistemi bankar po hyn në një fazë më të qëndrueshme financiare.


