Dy zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, Nikolla Vujoviq dhe Mlladen Millojeviq, janë dëbuar nga territori i Kosovës dhe u është ndaluar hyrja për pesë vitet e ardhshme, pak orë pas arrestimit të tyre të shtunën nën dyshimin për cenim të sigurisë kombëtare. Lajmi është konfirmuar nga avokatët e tyre për Radion Evropa e Lirë të dielën.
Sipas autoriteteve kosovare, Vujoviq ka humbur shtetësinë kosovare, me urdhër të ministrit të Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, i cili deklaroi se ai është rekrutuar nga institucionet serbe të sigurisë dhe përbën kërcënim për sigurinë kombëtare si pjesëtar i forcave policore serbe.
Vujoviq, me origjinë nga Zubin Potoku, ka paralajmëruar një padi për heqjen e shtetësisë. Ndërkohë, Millojeviq është polic aktiv në Rashkë dhe vjen nga Leposaviqi, komunë me shumicë serbe në veri të Kosovës. Ata ishin në mesin e tre pjesëtarëve dhe një ish-pjesëtari të MPB-së serbe që u arrestuan të shtunën në Kosovë.
Ligji për Shtetësinë në Kosovë parashikon humbjen e shtetësisë për personat që marrin pjesë në aktivitete që rrezikojnë sigurinë kombëtare ose janë anëtarë të shërbimeve të huaja të sigurisë pa miratimin e autoriteteve kosovare.
Ministri Sveçla akuzoi Serbinë për përpjekje sistematike për destabilizimin e Kosovës përmes rekrutimit të qytetarëve të saj në institucionet serbe të sigurisë. Në anën tjetër, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë e dënoi ashpër vendimin, duke e quajtur një hakmarrje të motivuar politikisht kundër popullit serb.
Ngjarja vjen në një klimë tensioni të shtuar, pas arrestimit nga autoritetet serbe të një ish-pjesëtari të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu, më 7 qershor. Ai po kthehej nga Austria në Kosovë, kur u ndalua në kufi me Serbinë dhe Hungarinë. Spahiu akuzohet nga Serbia për përfshirje në sulmin e armatosur në Banjskë në shtator 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Avokati i tij, Arianit Koci, ka njoftuar se është dorëzuar ankesa ndaj vendimit për paraburgimin njëmujor të Spahiut.


