Edhe pse sesioni parlamentar pritet të mbyllet normalisht më 23 korrik, Kuvendi do të rikthehet në një seancë të jashtëzakonshme më 27 korrik për të miratuar një sërë projektligjesh që lidhen me paketën e integrimit europian.
Ndërkohë, Kryeministri Edi Rama u ka komunikuar ministrave se lejet verore do të kufizohen vetëm në tre javët e para të muajit gusht. Sipas burimeve, kohëzgjatja e pushimeve do të varet nga situata dhe angazhimet e secilit dikaster, duke lënë të hapur mundësinë që disa ministra të kenë një periudhë edhe më të shkurtër pushimi.
Vendimi vjen në një periudhë kur qeveria synon të ruajë ritmin e punës për përmbushjen e reformave dhe detyrimeve që lidhen me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.


