Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka akuzuar Kanadanë për përhapjen e tymit nga zjarret pyjore drejt territorit amerikan dhe ka deklaruar se kostoja e ndotjes duhet të llogaritet në tarifat doganore ndaj mallrave kanadezë.
Në një reagim të publikuar në platformën “Truth Social”, Trump pretendoi se Kanadaja nuk po menaxhon siç duhet pyjet dhe zonat me bimësi, duke lejuar që zjarret të shkaktojnë ndotje të ajrit në disa pjesë të SHBA-së.
“Shtetet e Bashkuara po përballen në mënyrë të panevojshme me ajër të ndotur, të dëmshëm dhe të pashëndetshëm, cilësia e të cilit është e rrezikshme dhe krejtësisht e papranueshme”, shkroi Trump.
Presidenti amerikan e cilësoi situatën si një “neglizhencë të qëllimshme”, duke argumentuar se fenomeni është kthyer në një problem të përsëritur çdo vit dhe se i shkakton Shteteve të Bashkuara kosto prej miliarda dollarësh.
“Kostoja e kësaj ndotjeje duhet t’u shtohet tarifave që Kanadaja po paguan aktualisht”, u shpreh Trump, pa dhënë detaje se si do të llogaritej kjo kosto apo nëse do të ndërmerreshin hapa konkretë në këtë drejtim.
Deklaratat vijnë në një kohë kur zjarret masive në pyjet kanadeze kanë përhapur re të dendura tymi në pjesë të Kanadasë dhe veriut të Shteteve të Bashkuara, duke ndikuar në cilësinë e ajrit dhe duke nxitur autoritetet amerikane të lëshojnë paralajmërime për ndotjen.



