Një ngjarje e rëndë është regjistruar në fshatin turistik të Thethit, në Shkodër, ku një konflikt mes disa shtetasve ka përfunduar me të shtëna me armë zjarri. Falë ndërhyrjes së shpejtë të Policisë, është shmangur përshkallëzimi i mëtejshëm i situatës.
Sipas njoftimit zyrtar, 33-vjeçari A. Rr. është arrestuar pasi ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti ku ndodheshin tre shtetas, N. H. (29 vjeç), P. H. (27 vjeç) dhe D. Rr. (29 vjeç), të gjithë banues në Theth. Fatmirësisht, nga të shtënat nuk ka pasur të lënduar, por janë shkaktuar dëme materiale në mjetin e qëlluar.
Pas incidentit, tre shtetasit që ndodheshin në automjet dyshohet se kanë ushtruar dhunë fizike ndaj autorit të të shtënave, për çka janë proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Policia ka sekuestruar armën e përdorur në konflikt, një pistoletë me municion luftarak, dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të motiveve të ngjarjes.


