Konfirmohet rasti i parë i murtajës së bagëtive të imëta në Postribë, Shkodër. Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve njoftoi se është identifikuar prania e virusit të Murtajës së Ruminantëve të Vegjël (PPR) në një fermë dhish në këtë zonë. Mostrat e marra nga Shërbimi Veterinar janë analizuar në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, ku u konfirmua zyrtarisht prania e sëmundjes.
Pas këtij konfirmimi, autoritetet kanë zbatuar masat e menjëhershme të përcaktuara në Planin Kombëtar të Kontigjencës për PPR, për të kontrolluar dhe kufizuar përhapjen e saj. Në këtë kuadër, u është bërë thirrje të gjithë fermerëve dhe mbarështuesve të deleve dhe dhive që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të kufizojnë lëvizjen e kafshëve brenda dhe jashtë fermave, për të shmangur përhapjen e mëtejshme të virusit.
Sipas njoftimit zyrtar, çdo rast i dyshimtë, i cili shoqërohet me simptoma si temperaturë e lartë, rrjedhje nga hunda, inflamacion i syve, ulje të oreksit, diarre apo ngordhje të papritur të kafshëve, duhet të raportohet menjëherë tek Shërbimi Veterinar Rajonal ose në numrin e gjelbër falas 0800 3366.
Autoriteti thekson se kjo sëmundje nuk është zoonotike dhe për pasojë nuk transmetohet tek njerëzit, duke sqaruar se nuk ka asnjë rrezik për shëndetin publik. Ndërkohë, strukturat përkatëse do të vijojnë ndjekjen dhe monitorimin e situatës me seriozitet dhe do të informojnë publikun për çdo zhvillim të ri.


