Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, rikthehet në Farkë për të vijuar operacionin e gjerë të inspektimit të lejeve të ndërtimit dhe standardeve të sigurisë. Prej tre javësh, në këtë zonë janë verifikuar 26 komplekse rezidenciale, që përfshijnë 581 vila dhe godina kolektive.
Kontrollet kanë nxjerrë në pah rreth 4.500 m² ndërtim pa leje, ku gjysma e sipërfaqes është prishur menjëherë nga vetë ndërtuesit, ndërsa pjesa tjetër po trajtohet për procedurë konfiskimi për interes publik. Për shkeljet e konstatuara janë vendosur 247 milionë lekë, ose rreth 2.5 milionë euro gjoba administrative.
Ministrja Koçiu theksoi se ky operacion nuk synon penalizimin e industrisë së ndërtimit, por ngritjen e standardeve dhe mbrojtjen e qytetarëve:
“Ky operacion ka për qëllim të rrisë standardin, të sigurojë që ata që ndërtojnë sipas ligjit të mos konkurrohen padrejtësisht nga ata që e shkelin atë. Të gjithë ata që ndërtojnë ligjërisht janë aleatët tanë në këtë proces,” deklaroi Koçiu.
Sipas saj, çdo objekt që tejkalon lejen ndërtimore do të konfiskohet për interes publik ose strehim social, ose do të prishen të gjitha ndërtimet e kryera.
Operacioni në Farkë do të vazhdojë pa ndërprerje, derisa rregulli, standardi dhe përgjegjësia të bëhen norma e vetme në territor. Koçiu përfundoi duke nënvizuar se vendosmëria për transparencë dhe rregull në sektorin e ndërtimit është tashmë standard i përditshëm i punës së Ministrisë së Punëve të Brendshme.


