Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, zhvilloi një takim të posaçëm pune me Ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vengu, Ministrin e Pushtetit Vendor, Ervin Demo, prefektët e 12 qarqeve, si dhe drejtues të AKMC-së, Policisë së Shtetit dhe Shërbimit Zjarrfikës. Qëllimi i mbledhjes ishte koordinimi mbi masat parandaluese dhe reagimin ndaj emergjencave civile që mund të shkaktojë sezoni i dimrit.
Takimi u organizua pas reshjeve të dendura dhe përmbytjeve të lokalizuara të ditëve të fundit, situata të cilat u menaxhuan me sukses falë ndërhyrjes së strukturave të emergjencave. Ministrja Koçiu theksoi se faza e ardhshme kërkon gatishmëri të plotë nga çdo institucion dhe bashkërendim maksimal në të gjithë territorin.
Në fjalën e saj, ajo vuri në pah rolin kyç të prefektëve në drejtimin e menaxhimit të situatave në qark, duke kërkuar inventarizim të shpejtë dhe të plotë të dëmeve, raportim të menjëhershëm e të saktë për çdo problem, si dhe rishikim urgjent të planeve të emergjencës sipas nevojave të terrenit.
“Në menaxhimin e emergjencave nuk ka ‘detaje të vogla’. Suksesi varet nga informacioni i saktë, koordinimi i pandërprerë dhe reagimi i shpejtë në terren,” u shpreh Koçiu, duke theksuar se Policia e Shtetit, Shërbimi Zjarrfikës dhe ekipet e Mbrojtjes Civile janë në gatishmëri të plotë.
Ajo nënvizoi gjithashtu angazhimin e Ministrisë për forcimin e rolit të prefektëve, rritjen e transparencës dhe performancës në nivel qarku, si dhe thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.
“Na duhet punë, përgjegjësi dhe bashkëpunim. Ne jemi gati. Dhe të gjithë duhet të jemi gati,” përfundoi ministrja Koçiu.


