Inspektorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) në Tiranë kanë ndërmarrë kontrolle të shumta në bizneset e ushqimit, duke bllokuar sasi të konsiderueshme produktesh të rrezikshme për konsum.
Gjatë një inspektimi pranë biznesit KMY, AKU ka konfiskuar 738 kilogramë fileto dhe gjoks pule. Sipas inspektorëve, mishi ishte përfshirë në proces të pahijshëm ngrirjeje dhe shkrirjeje, duke qëndruar në kontakt me tokën dhe pranë ambienteve të prekura nga myku dhe ndryshku. Për shkak të këtyre kushteve, aktiviteti i biznesit KMY është pezulluar deri në përmbushjen e standardeve higjeno-sanitare.
Një tjetër aksion u zhvillua në operatorin Bonum, ku inspektorët konstatuan kushtet e papërshtatshme higjeno-sanitare në baxhon ku prodhohej djathi. Muret e lagështa dhe prezenca e mykut çuan në vendosjen e masës administrative me gjobë 300 mijë lekësh dhe bllokimin e 329 kilogramëve djathi të bardhë dhie.
AKU njofton se produktet e konfiskuara nga të dy kompanitë do të asgjesohen për të parandaluar çdo rrezik për konsumatorët. Autoriteti thekson rëndësinë e respektimit të standardeve të sigurisë ushqimore dhe paralajmëron inspektime të mëtejshme në të gjithë vendin.


