Policia Kufitare e Morinës, në bashkëpunim me DVP Kukës, ka ndaluar një 27-vjeçar nga Kosova, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet gjermane.
Shtetasi S. M., 27 vjeç, banues në Kosovë, u identifikua gjatë kontrolleve të imtësishme në kufi. Nga verifikimet dhe shkëmbimi i informacionit përmes Interpol Tiranës, rezultoi se ai ishte i kërkuar nga Gjykata e Mynihut, e cila kishte lëshuar një urdhër-arrest ndërkombëtar ndaj tij.
I riu akuzohet për veprën penale “Mashtrimi”, për të cilën parashikohet dënim deri në 10 vite burg.
Aktualisht, Interpol Tirana po bashkëpunon me homologët gjermanë për finalizimin e procedurave të ekstradimit.


