Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, deklaroi se opozita po shqyrton edhe mundësinë e një kandidature jashtë radhëve të PD-së për zgjedhjet e ardhshme për Bashkinë e Tiranës, pasi dy emrat e parë të propozuar nga kryetari Sali Berisha — Ilir Alimehmeti dhe Jorida Tabaku — kanë refuzuar ofertën për të kandiduar.
I ftuar në “News24”, Këlliçi bëri të ditur se Tabaku dhe Alimehmeti kanë vendosur të mos përfshihen në këtë garë për shkak të angazhimeve të tjera politike dhe profesionale.
“Zoti Alimehmeti dhe zonja Tabaku e kanë bërë të qartë se nuk do të kandidojnë. Janë të fokusuar në projektet e tyre përkatëse dhe e kanë përjashtuar këtë mundësi,” u shpreh ai.
Këlliçi theksoi se PD është në kërkim të një kandidati me profil të njohur publik, duke nënvizuar se nuk përjashtohet zgjedhja e një figure jashtë strukturave të partisë, në mënyrë që të tërhiqet sa më shumë mbështetje qytetare.
“Kandidatët e mundshëm nuk kufizohen vetëm brenda PD-së. Mund të jetë edhe një figurë nga jashtë, me profil të lartë dhe mbështetje qytetare,” shtoi ai.
Në analizën e tij politike, Këlliçi vlerësoi se nëse Jorida Tabaku do të ishte përfshirë në garë përballë Erion Manastirliut, rezultati në Tiranë mund të kishte qenë surprizë:
“Në gjykimin tim, kandidatura e parë duhet të ishte zonja Tabaku. Ajo ishte më e votuara në këto zgjedhje dhe nëse do të garonte me Manastirliun, pa diskutim do kishim pasur një surprizë në Tiranë.”
Sipas tij, edhe Alimehmeti është një profil me potencial të lartë, por aktualisht është i fokusuar në një projekt politik personal katërvjeçar.
Këlliçi konfirmoi se bisedat me këto dy figura janë zhvilluar personalisht nga Sali Berisha, por të dy kanë refuzuar, ndërsa PD do të vazhdojë kërkimin për një kandidaturë alternative që të bashkojë elektoratin opozitar në kryeqytet.


