Operatori i Sistemit të Transmetimit po vijon punimet për ndërtimin e nënstacionit elektrik Elbasani 3, një investim strategjik që synon forcimin e rrjetit të transmetimit dhe përballimin e rritjes së prodhimit të energjisë nga impiantet fotovoltaike.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, së bashku me administratorin e OST-së, Elisian Bici, inspektuan nga afër ecurinë e punimeve në kantier.
Sipas OST-së, nënstacioni do të funksionojë në nivelin 400 kV dhe do të shërbejë si një pikë kyçe për shpërndarjen më të balancuar të flukseve të energjisë, reduktimin e mbingarkesave dhe rritjen e sigurisë së sistemit elektro-energjetik.
Administratori Bici theksoi se objekti ka rëndësi jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin, pasi aty kalojnë linjat e interkonjeksionit me Greqi dhe Maqedonia e Veriut.
“Ky është një nënstacion i ri që ka kapacitet për të përballuar të gjithë flukset që do të kalojnë në këtë rrjet dhe i jep siguri të shtuar edhe zonës së bregdetit dhe Fierit”, deklaroi ai.
Ministri Karakaçi u shpreh se investimi lidhet drejtpërdrejt me rritjen e prodhimit të energjisë së rinovueshme në vend.
Sipas tij, mbi 10% e energjisë së prodhuar aktualisht në Shqipëri vjen nga impiantet fotovoltaike, ndërsa deri në fund të vitit 2026 pritet të miratohen rreth 600 MW kapacitete të reja.
Ai shtoi se deri në fund të vitit 2027 synohet edhe shtimi i rreth 1 mijë MW të tjera nga energjia diellore.
“Ky është një nga mekanizmat më të mirë për të bërë çlirimin e energjisë së rinovueshme në Shqipëri”, deklaroi Karakaçi.
Nënstacioni Elbasani 3 do të lidhet me nënstacionet kryesore të zonës përmes linjave të reja dhe ekzistuese të transmetimit, ndërsa punimet pritet të përfundojnë së shpejti.


