Policia e Shtetit ka njoftuar arrestimin në Itali të Artur Mehillit, 60 vjeç, dhe Arben Mehillit, 54 vjeç, të cilët ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar për një vrasje të ndodhur më 12 shtator 1999 në Lushnjë.
Vëllezërit ishin dënuar nga Gjykata e Lushnjës në vitin 2001 me një total prej 32 vitesh burg për “vrasje me paramendim” në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje, pasi kishin ekzekutuar shtetasin R.M., për motive gjakmarrjeje. Viktima kishte vrarë më parë vëllanë e tyre në vitin 1997.
Pas kryerjes së krimit, dy vëllezërit u larguan drejt Italisë duke përdorur identitete të rreme, ku Artur Mehilli përdorte emrin Artur Davidhi, ndërsa Arben Mehilli identitetin Arben Gjermeni, dhe siguruan leje qëndrimi në shtetin fqinj.
Operacioni për kapjen e tyre u bë i mundur falë bashkëpunimit ndërkombëtar mes Departamentit të Policisë Kriminale, Prokurorisë së Përgjithshme, Policisë Fier dhe Interpolit, duke përfshirë Interpol Tiranën dhe Interpol Romën. Një rol kyç luajti përdorimi i teknologjisë biometrike “Facial Recognition”, e cila identifikoi identitetet reale të të kërkuarve.
Autoritetet shqiptare njoftojnë se vijon procedura e ekstradimit të dy vëllezërve drejt Shqipërisë, ku ata do të vuajnë dënimin e dhënë nga drejtësia shqiptare.


