Momente paniku janë regjistruar në një fluturim nga Krakovi i Polonisë drejt Bristolit, pasi një pasagjer britanik i dehur refuzoi të ulej gjatë fazës së uljes, duke detyruar pilotin të rrotullojë avionin mbi aeroport deri në ndërhyrjen e autoriteteve.
Ngjarja ndodhi më 11 nëntor 2025, dhe u shoqërua me skena të dhunshme në bord. Sipas “Daily Mail”, pasagjeri fillimisht debatonte me ekuipazhin dhe ofendonte stafin, ndërsa më pas u përlesh me oficerët e sigurisë që u përpoqën ta ndalonin.
Pamjet e filmuara nga një udhëtar tjetër, Kacper Bujak, tregojnë burrin duke bërtitur, fyer dhe duke i bërë gjeste të pahijshme të tjerëve. “Sapo mbaroi së piri, filloi të bënte rrëmujë”, rrëfeu Bujak për mediat britanike.
Sipas dëshmitarëve, pasagjeri refuzoi të bindej ndaj urdhrave të ekuipazhit edhe gjatë uljes, gjë që detyroi pilotin të anulojë afrimin e parë për arsye sigurie.
Pas uljes në Bristol, policia u thirr menjëherë, por edhe gjatë ndërhyrjes, burri sulmoi oficerët, duke zgjatur operacionin për më shumë se një orë. Incidenti shkaktoi vonesë në nisjen e fluturimit të radhës për në Krakov.
Në një reagim zyrtar, kompania Ryanair deklaroi:
“Ekuipazhi i fluturimit nga Krakow për në Bristol thirri policinë për ndihmë pas sjelljes së papërshtatshme të një pasagjeri. Ryanair ka një politikë zero tolerance ndaj sjelljeve të tilla dhe do të vazhdojë të ndërmarrë masa për të garantuar një udhëtim të sigurt e të respektueshëm për të gjithë.”


