Një spektakël misterioz ndriçoi qiellin e Kalifornisë të hënën mbrëma, duke lënë shumë banorë të habitur. Një formë e ndritshme, e ngjashme me një kandil deti fluturues, u shfaq papritur mbi shkretëtirën Mojave dhe mbi bregdetin e Los Angeles, duke nxitur spekulime për UFO apo ngjarje të pazakonta atmosferike.
Por shkencëtarët nxituan të qetësonin publikun: nuk kishte jashtëtokësorë të përfshirë. Fenomeni spektakolar ishte rezultat i nisjes së fundit të raketës Falcon 9 nga kompania SpaceX e Elon Musk.
Misioni Starlink 15-9, që synonte të shtonte numrin e satelitëve Starlink në orbitën e ulët të Tokës, u lëshua nga Stacioni i Forcave Hapësinore Vandenberg në Kaliforni në orën 23:36. Shkarkimet e raketës, që përmbanin avuj uji të kondensuar, ndërvepruan me rrezet e diellit që sapo kishte perënduar, duke krijuar formën spektakolare që u duk si një “kandil drite” në qiellin e errësuar.
Fotot dhe videot e publikuara nga banorët e Kalifornisë në rrjetet sociale e bënë shpejt fenomenin viral, ndërsa pamja u kap edhe nga inxhinieri i SpaceX, Cameron Gable.
Ky mision ishte një tjetër hap në përpjekjen e Elon Musk për të mbuluar globin me internet satelitor, ndërsa për miliona njerëz në tokë, krijoi një moment magjik që për pak çaste e bëri qiellin e natës të duket si i ardhur nga një tjetër botë.


