Artistja shqiptare Rozana Radi ka zgjedhur një mënyrë reflektuese dhe të thellë për të festuar 46-vjetorin e lindjes më 6 korrik, duke publikuar në Instagram një mesazh personal, larg zhurmës së festave apo postimeve të zbukuruara.
Në rrëfimin e saj, ajo e përshkruan vitin që lamë pas si një periudhë sfiduese dhe pasqyrë vetëreflektimi:
“Një vit ku e vendosa veten në provë më shumë se kurrë. Një vit pa filtra, pa grim, pa tituj të blerë.”
Rozana theksoi se ka zgjedhur gjithmonë të jetë e vërtetë, edhe kur kjo zgjedhje ka pasur kosto më të lartë se një famë e shpejtë.
“Nuk kam ndërtuar asgjë mbi thashetheme apo skena boshe, por mbi artin, fjalën dhe shpirtin tim.”
Një nga momentet më të ndjera të postimit ishte kur ajo i drejtohet vetes me falënderim – për forcën, për qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë për të mos u dorëzuar.
“Ky vit iku, por unë mbeta. E njëjta, por më e fortë.”
Artistja u shpreh mirënjohëse për urimet e marra, duke theksuar se çdo fjalë e mirë e ndihmon të ecë përpara “me zemër të madhe dhe me kokën lart”.
Postimi u përmbyll me një deklaratë që përmbledh të gjithë rrugëtimin e saj:
“Jeta është për të guximshmit dhe unë jam një prej tyre.”
Një mesazh që rezonoi me shumë ndjekës dhe admirues të saj, si një kujtesë për forcën e të qëndruarit vetvetja, në art dhe në jetë.


