Kabineti izraelit i sigurisë pritet të diskutojë sot mundësinë e një armëpushimi të përkohshëm me Libanin, sipas një burimi izraelit. Takimi është planifikuar të zhvillohet në orën 20:00 sipas kohës lokale në Izrael.
Diskutimet vijnë një ditë pas bisedimeve të para të drejtpërdrejta mes Izraelit dhe Libanit në rreth 40 vjet, të mbajtura në Uashington DC me ndërmjetësimin e administratës amerikane.
Sipas raportimeve, nën presionin e Shteteve të Bashkuara, Izraeli ka ulur intensitetin dhe shtrirjen e sulmeve në Liban, duke shmangur goditjet ndaj kryeqytetit Bejrut në ditët e fundit. Megjithatë, sulmet në jug të vendit, të cilat Izraeli i konsideron objektiva të Hezbollahut, kanë vazhduar.
Burime izraelite bëjnë të ditur se një nga opsionet në tryezë është një armëpushim i përkohshëm si hap i parë drejt një procesi më të gjerë negociatash me Libanin.
Pavarësisht sinjaleve diplomatike, luftimet në terren kanë vijuar, me shkëmbime zjarri mes Izraelit dhe Hezbollahut.
Zëdhënësi i qeverisë izraelite, David Mercer, deklaroi se “nuk ka diskutim për armëpushim me Hezbollahun”, duke zbutur pritshmëritë për një marrëveshje të afërt.
Ndërkohë, CNN raporton se presidenti amerikan Donald Trump dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kanë zhvilluar të paktën tre telefonata javën e kaluar lidhur me situatën në Liban, në kuadër të përpjekjeve për uljen e tensioneve në rajon.


