Jurgen Klopp është rikthyer zyrtarisht në botën e futbollit, këtë herë jo si trajner, por si strateg pas kuintave. Ish-tekniku i Liverpool-it, 58 vjeç, është emëruar anëtar i grupit të ekspertëve pranë Ligës Gjermane të Futbollit (DFL), që do të punojë për modernizimin dhe reformimin e futbollit gjerman në të gjitha nivelet.
Në këtë grup përfshihen gjithashtu Sami Khedira, ish-ylli i Real Madridit dhe kampion bote me Gjermaninë, si edhe drejtues të lartë nga klubet më të njohura të Bundesligës.
Drejtori menaxhues i DFL-së, Marc Lenz, deklaroi se ky grup do të luajë rol kyç në forcimin e strukturave sportive dhe financiare të ligës:
“Bundesliga duhet të mbetet një ndër kampionatet më konkurruese në botë. Për këtë arsye, kemi nevojë për mendimin strategjik të ekspertëve si Klopp dhe Khedira.”
Grupi do të fokusohet në trajnimin dhe integrimin e talenteve të rinj; përmirësimin e infrastrukturës dhe menaxhimit të klubeve; garantimin e konkurrueshmërisë afatgjatë të futbollit gjerman.
Rezultatet e para nga puna e tyre pritet të prezantohen në pranverën e vitit 2026.
Ndërkohë, Klopp do të vazhdojë edhe funksionin e tij si Kreu Global i Futbollit në grupin Red Bull, ku mbikëqyr zhvillimin e klubeve si RB Leipzig, RB Salzburg dhe New York Red Bulls, duke dhënë rekomandime për talente, transferime dhe emërime trajnerësh.
Në një intervistë për The Athletic, Klopp tha se po shijon një fazë më të qetë të jetës:
“E pashë disa ndeshje të Liverpool-it dhe isha i lumtur për ta. Por nuk më mungon stoli. Po shijoj sportin, kohën me familjen, nipërit e mbesat… Do të punoj sërish, por jo më si trajner.”


