Një shtetas i Kosovës, Osman Selmani, është arrestuar nga autoritetet serbe në pikën kufitare të Mutivodës, nën dyshimin për përfshirje në krime lufte.
Sipas familjarëve, arrestimi ka ndodhur më 1 korrik 2026, teksa Selmani po kthehej nga Medvegja. Ata bëjnë të ditur se ai është dërguar në Beograd, ku po përballet me procedurat para Prokurorisë për Krime Lufte.
Në një reagim publik, familja ka deklaruar se i konsideron akuzat ndaj tij të pabazuara dhe të pavërteta, duke shprehur shqetësimin për situatën në të cilën ai ndodhet.
Ndërkohë, autoritetet serbe kanë konfirmuar arrestimin dhe kanë bërë të ditur se Gjykata e Lartë në Beograd ka vendosur masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj Selmanit.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, Selmani dyshohet se më 14 qershor 1999, në zonën e Sofalisë në Prishtinë, në bashkëpunim me disa pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ka kryer vrasjen e dy civilëve serbë, bashkëshortëve Vlladimir dhe Persa Stanisavljeviq, duke përdorur armë zjarri dhe mjete të ftohta.
Rasti është në fazën e hetimeve dhe deri në përfundimin e procesit gjyqësor, pretendimet e autoriteteve serbe mbeten akuza që nuk janë vërtetuar nga një vendim i formës së prerë.


