Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e së premtes në bregdetin e Vlorës, ku një 29-vjeçare ka humbur jetën pasi dyshohet se është mbytur në det në zonën e plazhit të Porto Novos.
Sipas të dhënave paraprake, e reja shqiptare është përballur me rryma të forta detare, të cilat e kanë vështirësuar daljen në breg. Zona e Porto Novos njihet prej kohësh si një nga segmentet më problematike të vijës bregdetare për shkak të rrymave të forta dhe kushteve të rrezikshme në det.
Pas nxjerrjes nga uji, trupi i pajetë është transportuar me gomone drejt Triportit, ndërsa më pas do të dërgohet në morgun e Spitalit Rajonal të Vlorës për kryerjen e procedurave përkatëse.
Ndërkohë, efektivët e Policisë së Vlorës kanë nisur veprimet hetimore dhe po marrin deklarime nga banorë dhe pushues që ndodheshin pranë vendit të ngjarjes, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave që çuan në humbjen e jetës së 29-vjeçares.


