Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po përballet me kërcënime të përsëritura për jetën dhe sigurinë e saj personale. Një tjetër email kërcënues ka mbërritur së fundmi në adresën zyrtare të Presidencës.
Në mesazhin e fundit thuhet:
“Janë nis me të vra k** edhe shpijunat e Serbisë, polici çka janë me armë kontrabandume.”
Kjo nuk është hera e parë që Presidentja Osmani merr kërcënime të tilla. Javë më parë, një tjetër mesazh i rëndë kishte mbërritur në emailin zyrtar, me përmbajtje të dhunshme dhe gjuhë të rëndë:
“Me tra nprit dekt me tlan partis dyt mundsin duhet deri tash kriminele antikushtetuese ordinere ti ha ropt tvraj.”
Reagimi institucional
Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se ka nisur hetimet për rastin dhe ka caktuar një prokuror që do ta trajtojë këtë çështje me prioritet të lartë.
“Të enjten, me pranimin e raportit policor, është caktuar prokurori përgjegjës dhe rasti do të trajtohet me të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë dhe ndëshkimin e përgjegjësve,” – thuhet në njoftimin zyrtar të Prokurorisë.
Kërcënimet ndaj figurave të larta shtetërore përbëjnë shkelje të rëndë penale dhe sfidë serioze për rendin dhe sigurinë demokratike në Kosovë. Rasti është duke u trajtuar nga organet e drejtësisë në bashkëpunim me policinë dhe institucionet e sigurisë.


