Lamin Jamal është shfaqur para mediave në konferencën në prag të ndeshjes së Ligës së Kampioneve të Barcelonës ndaj Altetiko Madrid dhe nuk ka ngurruar që të lëshojë dorashkën e sfidës për duelin e nesërm, por edhe për Kupën e Botës në verë.
Çfarë arsyesh ka për të besuar?
Ne jemi një ekip i ri, të gjithë jemi tifozë të flaktë të Barçës dhe mendoj se të gjithë kemi bërë atë që duhej bërë këtë sezon. Nesër do të japim gjithçka.
Si e parashikoni ndeshjen e nesërme?
Duhet të jemi intensivë, të mos humbasim ritmin dhe të mos mendojmë se një përmbysje është një mrekulli. Ne e nisim me dy gola disavantazh, por duhet të luajmë ashtu siç dimë.
A varet mundësia e një përmbysjeje nga ju?
Për fat të mirë, unë po luaj për Barcelonën dhe kemi shumë cilësi. Nuk mendoj se varet vetëm nga unë, dhe edhe nëse do të varet, nuk do t’i jepja rëndësi këtij fakti. Por kam besim në ekipin tim.
Pse vendosët një fotografi të LeBron Xhejms?
Ai është një nga modelet. Do të mendoj se si ia doli ai. Kemi shumë liderë në ekip. E konsideroj veten një prej tyre, por nuk jam i vetmi.
Çfarë mesazhi shprese mund t’u jepni tifozëve të Barçës?
Nëse eliminohemi, do të jetë në fund fare. Do të japim gjithçka për stemën. Kjo nuk ka mbaruar. Një përmbysje është shumë e mundur, prandaj jemi këtu.
Si e parashikoni performancën tuaj nesër?
Mezi pres. Mezi pres ditën e nesërme, për të qenë i sinqertë.
A ka dëshirë për hakmarrje pas eliminimit nga Kupa e Mbretit?
Është e vërtetë që u eliminuam. Por jo vetëm për këtë arsye. Nuk e kemi fituar Ligën e Kampionëve për shumë vite, dhe ne jemi Barça. Mendojmë se mund të kalojmë turin.
A po arrini në momentin tuaj më të mirë të sezonit?
Ndihem shumë mirë dhe shumë i motivuar për të bërë një ndryshim. Shpresoj se mund të bëj një ndryshim. Le të shohim nëse Çolo më bën ndonjë nder dhe më vendos të përballem një kundër një me një lojtar.
Në një intervistë, thatë se ajo që ju bën më të lumtur është shënimi i golave në Ligën e Kampioneve. Pse?
Së bashku me Kupën e Botës, është një nga turnetë më të mirë që ekziston dhe kjo është arsyeja pse më pëlqen shumë të shënoj gola për Barcelonën në Ligën e Kampioneve.
Çfarë rëndësie ka të luash me lojtarë “të shtëpisë”?
Është shumë e rëndësishme. Ne të gjithë e duam Barcelonën. Do t’i japim gjithçka, do të luftojmë deri në fund.
Ku e shihni veten pas tre vitesh?
Me shumë tituj të tjerë. Me Kupën e Botës, me më shumë tituj të Ligës së Kampioneve…
Si e përballoni marrjen e kaq shumë përgjegjësive në moshën 18 vjeç?
Që kur isha i vogël, kam marrë më shumë përgjegjësi sesa duhet. Jam mësuar me të. Nuk e shoh si problem, por si një pikë të fortë. Më pëlqen besimi që më japin shokët e ekipit.
Si e menaxhoni zhgënjimin?
Ka shumë tension në çdo ndeshje. Kur gjërat nuk shkojnë sipas dëshirës sime, përpiqem ta ndihmoj ekipin.
Nejmar ishte lojtari më i mirë kundër PSG-së në ndeshjen e famshme 6-1…
Nejmar ka qenë një pjesë e madhe e fëmijërisë sime. ai është idhulli im. Ai na frymëzon të gjithëve dhe është një lojtar që do të paguaje për ta parë. Shpresoj që ai të jetë në Kupën e Botës./PanoramaSport


