Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik në Rusi, ku një grua 46-vjeçare, e identifikuar si Svetlana, është arrestuar pasi akuzohet se ka porositur vrasjen e vajzës së saj 12-vjeçare.
Sipas autoriteteve, Svetlana kishte ofruar 1,100 euro një të njohuri për të mbytur vajzën në një lumë në rajonin e Chelyabinsk, duke thënë se ishte “e lodhur” nga sjellja e saj dhe konfliktet e vazhdueshme në familje.
Por plani u prish kur 36-vjeçari i përzgjedhur për ta kryer krimin, një burrë me emrin Andrei, vendosi të mos e çonte deri në fund. Ai i tregoi vajzës për rrezikun që i kanosej, e ndihmoi të fshihej dhe informoi menjëherë policinë.
Nëna u arrestua pa vonesë dhe tashmë përballet me akuza të rënda që mund të çojnë deri në 15 vite burg.
Vajza është strehuar në një institucion social, së bashku me dy vëllezërit e saj të moshës 6 dhe 17 vjeç, ndërsa familja ka edhe një vajzë tjetër 18-vjeçare.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të ashpra në Rusi dhe më gjerë, duke nxjerrë në pah sfidat e rënda psikologjike dhe sociale me të cilat përballen disa familje në nevojë.


