Në Tiranë ka vijuar operacioni policor i koduar “Fati i Lojërave”, i fokusuar në goditjen e aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit.
Si rezultat i kontrolleve të ushtruara nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, u zbulua një tjetër lokal i përshtatur për këtë veprimtari, ku përdoreshin makina lojërash fati dhe tavolina pokeri.
Në ambientin e kontrolluar në rrugën “Kajo Karafili”, u sekuestruan 4 makineta për lojëra fati, një tavolinë pokeri si dhe pajisje të tjera që shërbenin për organizimin e lojërave të paligjshme.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë administratori i lokalit, shtetasi F. K., 38 vjeç, banues në Tiranë.
Autoritetet bëjnë me dije se kontrollet dhe veprimet kundër kësaj veprimtarie të paligjshme do të vijojnë në subjekte dhe ambiente të ndryshme, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për hetime të mëtejshme.


