Instituti i Gjeoshkencave ka dhënë alarm për rrezik të lartë të përhapjes së zjarreve në pyje në pjesën më të madhe të vendit gjatë pasdites së kësaj të hëne dhe ditës së martë.
Sipas njoftimit zyrtar, niveli i rrezikut “i lartë” pritet në qarqet Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër.
Ndërkohë, në qarqet Shkodër, Kukës dhe Dibër parashikohet një nivel rreziku “i moderuar”. Megjithatë, Instituti bën të ditur se në zona të caktuara të qarkut Shkodër (jug-perëndim) dhe qarkut Dibër (jug-perëndim), rreziku mund të jetë lokalisht i lartë.
Sipas ekspertëve, rreziku për zjarre pritet të jetë më i theksuar gjatë ditës së martë, për shkak të temperaturave të larta dhe kushteve të favorshme për përhapjen e flakëve.
Vala e të nxehtit vijon të përfshijë vendin, me temperatura që pritet të arrijnë deri në 40°C në disa zona, duke rritur ndjeshëm mundësinë e situatave problematike me zjarret në sipërfaqe pyjore dhe kullota.
Instituti i Gjeoshkencave u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin veprime që mund të shkaktojnë zjarre, veçanërisht në zonat me bimësi të thatë.


