TIRANË-Një shpërthim me lëndë plasëse ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të kësaj të enjteje në rrugën “Peti” tek zona e Liqenit të Thatë.
Bëhet me dije se nga shpërthimi janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në disa automjete të parkuara, ndërsa janë sekuestruar kamerat e sigurisë.
Ndërkohë raportohet se pronar i garazhit që iu vendos tritol është Elvis Kosova, me precedentë të mëparshëm penal.
Ai u arrestua në Gusht të vitit 2024 për shkak se u akuzua për vjedhjen e nje Audi R8 me vlerë 200 mijë euro.
Për këtë ngjarje është vënë në pranga edhe një shtetas turk.
“Rreth orës 03:50, në rrugën “Peti”, dyshohet se në portën hyrëse të garazhit të shtetasit E. K., 39 vjeç, është vendosur dhe ka shpërthyer një sasi e dyshuar lënde plasëse. Si pasojë janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në disa automjete, të parkuara.Grupi hetimor ka administruar pamjet filmike nga vendngjarja dhe po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.”- njoftoi policia./Radar.al


