Ish-modelja italiane Elisabetta Ferretto, e njohur si një nga gratë e para që ka denoncuar abuzimet e financierit amerikan Jeffrey Epstein, është gjetur në një burg në Florida pas disa ditësh kërkimesh.
Autoritetet e Interpol kanë konfirmuar se 50-vjeçarja ndodhet aktualisht e ndaluar në SHBA, pas një kërkese të Ministrisë së Brendshme italiane dhe bashkëpunimit me autoritetet amerikane.
Familjarët e saj kishin humbur kontaktet që prej 22 prillit, disa ditë pas kthimit nga pushimet në vendlindjen e saj në Montagnana, në provincën e Padova. Ata raportuan zhdukjen pranë autoriteteve në Rovigo, duke aktivizuar më pas edhe kanalet diplomatike.
Sipas raportimeve, Ferretto ishte ndër personat e parë që doli publikisht nga anonimiteti për të denoncuar Epstein, i cili ndërroi jetë në vitin 2019. Ajo kishte deklaruar më herët se kishte refuzuar qasje të papërshtatshme gjatë një takimi në Shtetet e Bashkuara.
Në rrëfimet e saj, ajo ka treguar se kishte shkuar në SHBA në fillim të viteve 2000 për karrierën në modë, ku më pas ishte prezantuar me Epstein përmes një agjenti. Sipas saj, takimi kishte ndodhur në rrethana profesionale që më pas kishin marrë drejtim të papritur.
Epstein ishte i lidhur me figura të njohura të botës së biznesit, përfshirë Leslie Wexner, pronar i Victoria’s Secret.
Autoritetet nuk kanë bërë ende publike arsyet e ndalimit të saj në SHBA.


