E ardhmja e Maks Ver shtapenit mbetet një enigmë që mban në tension të gjithë botën e Formulës 1. Katër herë kampioni i botës nuk e ka fshehur pakënaqësinë për epokën e re të F1, madje ka lënë të kuptohet se mund të zbresë nga makina nëse rregullorja e re i heq kënaqësinë e garimit.
Megjithatë, jo të gjithë e besojnë këtë qëndrim. I fundit që ka reaguar është Xhenson Baton, i cili dyshon se holandezi mund të tërhiqet. Ai nuk e sheh Maksin duke marrë një vit pushim.
VIZIONI I NJË KAMPIONI – Pavarësisht deklaratave të vazhdueshme për një tërheqje të mundshme apo për një vit pushim për të parë zhvillimet nga jashtë, Xhenson Baton mbetet skeptik. Për kampionin e vitit 2009 në F1, natyra konkurruese e Vershtapenit nuk përputhet me një jetë të qetë në shtëpi. Sipas tij, edhe nëse rregullorja nuk i pëlqen Maksit, etja për fitore zakonisht peshon më shumë se çdo ankesë teknike.
Për britanikun, ideja që një pilot në kulmin e karrierës së tij të marrë një pauzë është, për momentin, pak e besueshme. Pyetja mbetet: a është pakënaqësia e Vershtapenit një kërcënim i vërtetë për t’u larguar apo thjesht një strategji presioni ndaj FIA? Për momentin, kampionati vazhdon të rrotullohet rreth një Maksi që, edhe pse ankohet, nuk ndalet së garuari. Instinkti dhe ambicia e tij konkurruese, pavarësisht se ka fituar gjithçka, mbeten të paprekura.
“ËSHTË NJË KAFSHË GARE” – Në një prononcim për “Sky Sports F1”, Xhenson Baton ishte i prerë në deklaratat e tij rreth të ardhmes së pilotit holandez të Red Bullit: “Personalisht, nuk më duket si tipi i njeriut që do të marrë një vit pushim. Ose garon, ose nuk garon fare. Vershtapen është një kafshë gare”, theksoi britaniku. Sipas Baton, personaliteti i Vershtapenit nuk lejon zgjidhje të ndërmjetme.
Kampioni i vitit 2009 beson se Maksi është një “kafshë gare”, motivimi i të cilit është i thjeshtë, nëse makina dhe rregullat e stimulojnë, ai do të vazhdojë të dominojë, nëse jo, do të largohet përfundimisht, ndoshta për të provuar veten në gara si 24 Orët e Lë Manshit, apo në kategori të tjera të qëndrueshmërisë që mund t’i rikthejnë ndjesinë që Formula 1 e vitit 2026 rrezikon t’ia marrë./PanoramaSport


