Ish-drejtori i përgjithshëm i burgjeve, Agim Ismailaj, është pyetur nga SPAK, pasi është zbuluar se ai ka marrë disa dosje të hakeruara nga një grup kriminal. Burime të sigurta për Top Channel njoftojnë se emri i Ismailaj u gjet në telefonat e dy të arrestuarve, Zambak Gjoni dhe Arnold Rrokaj, të cilët janë nën hetim për nxjerrje të akteve sekrete, ndërhyrje në sistemet kompjuterike dhe pjesëmarrje në grup kriminal.
Dëshmia e Ismailaj konsiderohet sekret dhe ai ka firmosur procesverbal për mos shpërndarjen e të dhënave që i janë dërguar përmes WhatsApp. SPAK po heton se si Ismailaj, pasi mori dosjet nga hakeruesi Rrokaj, i shpërndau ato tek ish-funksionarë të tjerë të lartë, të cilët janë nën hetim për korrupsion dhe shpërdorim detyre, si dhe një të tretë lidhur me evazion fiskal.
SPAK ka informuar gjithashtu se hakeruesi ka shfrytëzuar paswordet e dobëta të tre prokurorëve dhe ka hyrë në e-mailet e tyre, ndërkohë që sistemi i SPAK, sipas njoftimeve, nuk është prekur. Dy të arrestuarit kanë mohuar akuzat dhe insistojnë se nuk ka grup kriminal pas tyre.


