Një konflikt i gjatë për një banesë luksoze dyshohet se qëndron pas vrasjes së 41-vjeçarit shqiptar, Altin Arapaj, i cili u gjet i pajetë të enjten më 22 maj, në një vresht në zonën Rafina të Greqisë.
Sipas mediave greke dhe dëshmisë së bashkëshortes së viktimës, sherri që degjeneroi në krim kishte si pikënisje një mosmarrëveshje për pronësinë e një shtëpie në zonën elitare të Loutsës, ku përfshiheshin disa persona me shtetësi të ndryshme.
Bashkëshortja e Arapajt, në një intervistë për televizionin grek Star, ka deklaruar se konflikti kishte kohë që ziente dhe se viktima ishte kërcënuar në mënyrë të përsëritur nga autori i dyshuar. Sipas saj, shtëpia në fjalë ishte në pronësi të një shtetasi amerikan, por e ishte marrë me qira për vite me radhë nga një kanadez, i cili kishte përfshirë më pas edhe Arapajn në përdorimin e saj.
“Ky burrë e kishte paralajmëruar prej kohësh. I thoshte gjithnjë: ‘Largohu, sepse shtëpia është e imja. Do ta marr unë. Je në mes të asgjësë.’” – rrëfen ajo.
Sipas saj, konflikti kulmoi të hënën para se të ndodhte vrasja, kur një gjykatë greke dha vendim kundër kanadezit, duke i kërkuar atij të paguante kompensim për qëndrimin në banesë.
“Pasi humbi gjyqin, ai (kanadezi) e telefonoi burrin tim dhe i tha: ‘E di çfarë? Meqë duhet të paguaj, po të jap një shumë parash dhe largoju’. Në fund, ata e shlyen shtëpinë së bashku me vdekjen e burrit tim.”
Burime të policisë greke bëjnë me dije se autori dhe viktima njiheshin prej vitesh, dhe se të dy ishin të njohur për autoritetet. Ndërkohë, nuk përjashtohet mundësia që takimi fatal të jetë organizuar pikërisht për të “zgjidhur” konfliktin me një marrëveshje private, e cila përfundoi në mënyrë tragjike.
Hetimet janë ende në vijim nga autoritetet greke, ndërsa pista kryesore mbetet ajo e vrasjes për motive pronësore dhe hakmarrjeje, e lidhur me përfitimin e paligjshëm të banesës. Autori i dyshuar është shpallur në kërkim dhe pritet që policia të bëjë të mundur ndalimin e tij në ditët në vijim.


