EMIRATET ARABE- Largimi i Emirateve nga OPEC-u krijon sipas ekspertëve probleme të reja në Gjirin Persik. Për Arabinë Saudite ky hap konsiderohet një goditje e rëndë, ndërsa për presidentin amerikan Donald Trump si një sukses.
Lajmi nga Gjiri Persik erdhi si një goditje rrufeje: duke filluar nga 1. maji Emiratet e Bashkuara Arabedo të largohen nga grupi i vendeve eksportuese të naftës OPEC dhe OPEC+. Kjo ndodh në një kohë kur bota, ndodhet tashmë në një krizë të rëndë energjetikepër shkak të luftës së SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit dhe ekonomia botërore është e pasigurt.
Sipas një deklarate të agjencisë shtetërore të lajmeve WAM, vendimi erdhi pas një vlerësimi të thelluar edhe në lidhje me “trazirat e vazhdueshme në Gjirin Persik dhe Ngushticën e Hormuzit”. Më tej thuhet: “Ky vendim pasqyron vizionin afatgjatë strategjik dhe ekonomik të Emirateve të Bashkuara Arabe, si dhe profilin e energjisë që po ndryshon.”
Ekspertët e shohin Arabinë Saudite të dobësuar
Vëzhguesit e konsiderojnë vendimin e Emirateve si një goditje të rëndë për OPEC-un dhe veçanërisht për udhëheqësin de facto të grupit eksportues të naftës, Arabinë Saudite.
“Është më shumë një mesazh politik sesa ekonomik”, thotë eksperti i energjisë Marc Ayoub nga Tahrir Institute. “Kjo tregon se Emiratet nuk janë të kënaqura me drejtimin e OPEC-ut. Ky është një mesazh për Arabinë Saudite dhe një tregues i gjendjes së marrëdhënieve saudito-emiratase, qoftë në aspektin politik apo ekonomik sa u përket çështjeve të energjisë.”
Prishje e ekuilibrit
Prej kohësh ekzistojnë mosmarrëveshje mes dy vendeve të rëndësishme të Gjirit lidhur me qasjen ndaj Iranit dhe sjelljen në konflikte të tjera rajonale, si në Jemen dhe Sudan. Fakti që një anëtar prej shumë vitesh i grupit, Emiratet e Bashkuara Arabe, po largohet nga grupi i vendeve eksportuese të naftës, mund të shkaktojë tensione dhe ta dobësojë organizatën.
“Kjo prish ekuilibrin”, thotë eksperti i energjisë Nehad Issmail nga televizioni i Katarit Al Araby TV. “Kjo krijon një nivel të ri problemesh rreth Ngushticës së Hormuzit, naftës së Gjirit Persik dhe situatës me Iranin. Një largim i papritur në këtë moment kritik, i cili duket i papërshtatshëm për shkak të situatës së rrezikshme gjeopolitike në rajon.”/DW


