Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, njoftoi pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave se qeveria ka miratuar akordimin e një bonusi vere prej 5 mijë lekësh për pensionistët, ndërsa shpërndarja e tij do të nisë që nga dita e nesërme.
Në fillim të deklaratës së saj, Ibrahimaj shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave të aksidentit tragjik në autostradën Tiranë–Durrës, ku një autobus i linjës Berat–Tiranë u përfshi në një aksident të rëndë.
Ministrja sqaroi se bonusi është bërë i mundur falë ecurisë pozitive të ekonomisë dhe rritjes së të ardhurave në buxhetin e shtetit gjatë pesëmujorit të parë të vitit.
“Që në fillim të mandatit kemi premtuar se çdo e ardhur shtesë e krijuar nga rritja ekonomike do të rikthehet në mbështetje të pensionistëve. Bazuar në performancën e administratës tatimore dhe doganore gjatë pesë muajve të parë të vitit, vendosëm të ndërmarrim këtë masë mbështetëse”, u shpreh Ibrahimaj.
Sipas saj, nga bonusi do të përfitojnë rreth 777.200 pensionistë të të gjitha kategorive, përfshirë pensionistët e pleqërisë dhe pensionit social, përfituesit e pensionit të invaliditetit, pensionit familjar, si dhe personat që marrin trajtime të veçanta financiare.
Efekti financiar i kësaj mase llogaritet në rreth 3.7 miliardë lekë.
Ministrja bëri të ditur se rreth 30 deri në 40 mijë pensionistë, të cilët e marrin pensionin më 1 korrik, do ta përfitojnë bonusin prej 5 mijë lekësh njëkohësisht me këstin e pensionit.
Ibrahimaj theksoi se qeveria do të vijojë të mbështesë pensionistët edhe në të ardhmen, me synimin që rritja ekonomike të përkthehet në përmirësim të drejtpërdrejtë të të ardhurave të tyre.


