Një 24-vjeçar me inicialet E.K. është arrestuar nga Policia e Vlorës pasi dyshohet se i vuri zjarrin qëllimisht banesës së hallës së tij, në lagjen “Partizani”. Ngjarja ndodhi më 8 korrik, rreth orës 15:30, dhe fatmirësisht, falë ndërhyrjes në kohë të zjarrfikësve, zjarri u vu nën kontroll pa lëndime në njerëz, por me dëme materiale.
Hetimet e shpejta zbuluan se zjarri ishte i qëllimshëm dhe autori u identifikua përmes pamjeve filmike nga vendngjarja. I riu tashmë përballet me akuzën për “Shkatërrim të pronës me zjarr”, ndërsa materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë e Vlorës për veprime të mëtejshme.


