Pas pesë vitesh në arrati, Moisi Habilaj është arrestuar nga autoritetet shqiptare në zonën e Borshit.
Habilaj ishte shpallur në kërkim pas dënimit të tij për trafik narkotikësh dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Në vitin 2021, drejtësia shqiptare e dënoi me 15 vite burg, dënim që u reduktua në 10 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Më herët, ai ishte dënuar edhe nga drejtësia italiane me 15 vite burg për trafik ndërkombëtar droge, në kuadër të një hetimi që zbuloi aktivitetin e organizatës kriminale të njohur si grupi i Habilajve.
Çështja mori jehonë të madhe politike në Shqipëri në vitin 2017, pasi dokumentet hetimore të autoriteteve italiane nxorën në pah lidhje të dyshuara mes grupit kriminal dhe ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Megjithëse ndaj Tahirit u ngritën akuza për trafik droge dhe përfshirje në organizatë kriminale, gjykata e shpalli fajtor vetëm për shpërdorim detyre. Në të njëjtën çështje u shpall fajtor edhe Jaeld Çela.
Sipas të dhënave të kohës, menjëherë pasi Gjykata e Apelit në Katania konfirmoi dënimin e tij me 15 vite burg, policia shkoi në banesën ku Habilaj po qëndronte në arrest shtëpie, por nuk e gjeti aty. Që prej asaj kohe ai ishte në kërkim, deri në arrestimin e tij së fundmi në Borsh.
Autoritetet pritet të kryejnë procedurat e mëtejshme për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore ndaj tij.


