Një i mitur nga Shqipëria raportohet i zhdukur në Kosovë, pasi dyshohet se ka marrë pa leje automjetin e babait të tij dhe është larguar nga banesa.
Sipas familjarëve, bëhet fjalë për Mariglen Dautin, 14 vjeç. Familjari i tij, Dritan Dauti, ka deklaruar për Report TV se i mituri ka marrë pa dijeninë e prindërve një automjet Mercedes-Benz E-Class, me targa AB 379 RY, dhe është nisur drejt Kosovës.
Nga informacionet e siguruara nga familja, hera e fundit që Marigleni është parë ka qenë më 5 janar 2026, rreth orës 16:00, në një pikë karburanti “Petrol Pomp”, në segmentin rrugor Pejë–Prishtinë, në territorin e Kosovës.
Familjarët bëjnë me dije se i mituri nuk ka me vete dokumente identifikimi dhe u kanë bërë thirrje Policisë së Kosovës, si edhe qytetarëve, për ndihmë në gjetjen e tij. Çdo person që ka informacion mbi vendndodhjen e 14-vjeçarit, kërkohet të njoftojë menjëherë autoritetet policore.
Ndërkohë, Policia e Shqipërisë ka konfirmuar se më 5 janar 2026, në Komisariatin e Policisë Has, familjarët kanë bërë kallëzim për zhdukjen e të miturit. Sipas njoftimit zyrtar, 14-vjeçari ka marrë pa leje automjetin e babait dhe është larguar nga banesa.
“U bë shpallja në kërkim e 14-vjeçarit, ndërkohë shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollet për gjetjen e tij”, njofton policia.
Materialet proceduriale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës.


