Një aksident i pazakontë ka shkaktuar alarm në shtetin amerikan të Teksasit, pasi një kamion që transportonte qindra koshere u përmbys, duke liruar në ajër rreth dy milionë bletë.
Ngjarja ndodhi pranë qytetit Morrisville, ku autoritetet lokale të emergjencës u detyruan të paralajmëronin banorët të qëndronin brenda banesave dhe të shmangnin zonën për shkak të rrezikut nga grumbullimet masive të insekteve.
Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale treguan bletarë të pajisur me kostume mbrojtëse duke punuar për të rikuperuar kosheret dhe për të kontrolluar situatën, ndërsa mijëra bletë u panë të grumbulluara në pemë dhe objekte pranë vendit të aksidentit.

Sipas mediave ndërkombëtare, ekipet e emergjencës ndërhynë menjëherë për të kufizuar rrezikun dhe për të organizuar transportimin e kolonive të shpëtuara drejt bletarëve lokalë, të cilët u angazhuan për ruajtjen e tyre.
Autoritetet konfirmuan se nuk pati persona të lënduar nga incidenti, ndërsa situata u vu nën kontroll brenda pak orësh. Megjithatë, ngjarja ka tërhequr vëmendje të madhe për shkak të numrit të jashtëzakonshëm të bletëve të përfshira dhe natyrës së pazakontë të aksidentit.


