Kryeministri Edi Rama u prit sot në Pallatin Élysée nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në kuadër të një vizite zyrtare në Paris me ftesë të kreut të shtetit francez.
Pas takimit, Rama ndau në rrjetet sociale një album fotografik nga vizita, duke falënderuar Macron për mikpritjen dhe duke vlerësuar bisedimet e zhvilluara mes tyre.
“Merci beaucoup, Monsieur le Président. Faleminderit shumë Zoti President. Kënaqësi sot takimi me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron”, shkroi kryeministri në postimin e tij.
Gjatë qëndrimit në Paris, Rama zhvilloi një drekë pune me Macron, ku në fokus të diskutimeve ishte forcimi i mëtejshëm i partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Francës, si dhe bashkëpunimi në fusha me interes të përbashkët.
Vizita u zhvillua në kuadër të dialogut politik të nivelit të lartë mes dy vendeve, me theks të veçantë te procesi i integrimit europian të Shqipërisë, zhvillimet në Ballkanin Perëndimor dhe çështjet e sigurisë në kuadër të NATO-s.
Takimi i sotëm vjen në vazhdën e kontakteve të rregullta mes dy liderëve, të cilët kanë zhvilluar disa takime dypalëshe në Paris dhe Tiranë gjatë viteve të fundit.
Shqipëria e konsideron Francën një partner të rëndësishëm në mbështetjen e procesit të integrimit europian dhe në promovimin e stabilitetit dhe zhvillimit në Ballkanin Perëndimor. Vizita në Paris shërbeu për të riafirmuar vullnetin e përbashkët për thellimin e bashkëpunimit strategjik dhe avancimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.


