KORÇË– Janë zbardhur detaje të reja nga ngjarja e rëndë që tronditi të shtunën e 31 Gushtit Korçën. 45-vjeçari, Bledar Trëndafili i vuri flakën gruas, veprim të cilin dyshohet se e ka bërë për motive xhelozie.
Bëhet me dije se Bledar Trëndafili i ka telefonuar bashkëshortes së tij duke i kërkuar të dalë nga banesa për të sqaruar diçka, madje shumë metra poshtë banesës që Melisa Trëndafili kishte marrë me qera dhe jetonte me fëmijët e saj, janë ulur në shkallët e një banese private ku ndodhi dhe ngjarja.
Befas Bledar Trëndafili i ka hedhur bashkëshortes së tij benzinë dhe menjëherë i ka vënë flakën. Teksa ka qenë pranë një ndërtese private Melisa Trëndafili ka kërkuar ndihmë tek një banesë aty pranë dhe është ndihmuar nga një grua 65 vjeçare e cila ka arritur t’i heqë rrobat që kishte veshur. Gjithashtu qytetarja e ka mjekuar me mjete rrethanore shtëpie e pasi e ka veshur me rroba të tjera ka lajmëruar ambulancën e policinë.
Policia ka njoftuar se Bledar Trëndafili dyshohet se ka qenë në gjendje të dehur, por ende nuk ka mundur të arrestojë atë. 45-vjeçari thuhet se e ka takuar dhe 3 herë të tjera bashkëshorten e tij aty ku ajo jetonte me qera, për ti kërkuar të heqë dorë nga divorci. Nëna e dy fëmijëve të mitur ndodhet në repartin e djegieve në QSUT, ku po trajtohet me kujdesin e duhur shendetesor.


