Policia në Elbasan ka shoqëruar një drejtues mjeti, i cili u kap duke transportuar nxënës shkolle nën ndikimin e alkoolit.
Shtetasi Sazan Jashar Gjolena, 53 vjeç, banues në Gjolene, po drejtonte një mjet tip “Benz Sprinter” me 13 nxënës në bord. Ndërhyrja e policisë erdhi pas një telefonate nga një qytetar në sallën operative të Cërrik.
Patrulla e Postës së Policisë Belsh ndaloi mjetin në aksin Belsh–Gjolene. Testi i alkoolit rezultoi pozitiv, me vlera 0.68 mg/l në provën e parë dhe 0.67 mg/l në të dytën.
Drejtuesi u shoqërua në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan për veprime të mëtejshme procedurale, ndërsa nxënësit u transportuan në mënyrë të sigurt me një mjet tjetër.


