Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nga Haga ku ndodhet nën gjykim nga Gjykata Speciale, ka folur në një intervistë për emisionin Rubikon në Klan Kosova, duke shprehur ndjesinë e padrejtësisë që e ka shoqëruar gjatë këtij procesi.
Thaçi theksoi se nuk ndien as tradhti e as mashtrim, por se është abuzuar padrejtësisht, duke u shkëputur nga familja dhe jeta e përditshme.
“Nuk ndihem as i tradhtuar, as i mashtruar. Ndihem i abuzuar nga ata që, në emër të diçkaje fiktive, më shkëputën nga familja, më përjashtuan nga puna dhe më morën vitet më të bukura të jetës,” tha ai.
Duke reflektuar për bashkëpunimin e tij ndërkombëtar, Thaçi tha se Perëndimi dhe SHBA-të nuk paraqitën rrëfimin e duhur të kësaj lënde, ndërkohë që ai kishte pasur raporte të shkëlqyera me shumë presidentë amerikanë, nga mandati i dytë i Bill Clinton, te George W. Bush, Barack Obama, Joe Biden e deri te Donald Trump.
Ai shtoi se në periudha të ndryshme ka komunikuar për çështjen e Kosovës edhe me ish-presidentin George H. W. Bush dhe Jimmy Carter, duke nënvizuar rolin që ka pasur në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës ndër vite.


