Shqipëria po bën një hap të rëndësishëm drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, me hapjen e grup-kapitullit të fundit në procesin e negociatave.
Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të vendeve anëtare të BE-së autorizoi Presidencën Daneze që të ftojë Shqipërinë për të paraqitur Pozicionin e Saj Negociues për Grup-kapitullin 5, që përfshin fusha kyçe si Burimet, Bujqësinë dhe Kohezionin.
Ky hap i jep shansin Shqipërisë të organizojë Konferencën Ndërqeveritare në muajt në vijim dhe të përfundojë kështu hapjen e të gjithë kapitujve të negociatave me BE-në.
Vendimi pasqyron vlerësimin e lartë të Bashkimit Europian për përgatitjen teknike, institucionale dhe ekonomike të vendit, si dhe angazhimin e Shqipërisë ndaj perspektivës evropiane.
Grup-kapitulli 5 mbulon fusha të rëndësishme për zhvillimin ekonomik dhe social, duke përfshirë bujqësinë, sigurinë ushqimore, peshkimin dhe politikat rajonale, që janë thelbësore për modernizimin dhe përmirësimin e standardeve në këto sektorë.
Shqipëria synon të përfundojë gjithë procesin e negociatave deri në fund të vitit 2027 dhe të bëhet anëtare e plotë e BE-së brenda vitit 2030.


