Grykëderdhja e Semanit është shndërruar në një pikë të rëndë ndotjeje pas reshjeve intensive të ditëve të fundit. Shirat me prurje të larta kanë nxjerrë në sipërfaqe tonelata mbetjesh të akumuluara ndër vite përgjatë shtratit dhe brigjeve të lumit, duke e kthyer zonën në një “kosh plehrash” të hapur.

Sasia e madhe e ujit ka shtyrë drejt detit mbetje plastike, shishe, kartonë dhe materiale të tjera urbane, të cilat tashmë janë shpërndarë në segmentet kryesore të grykëderdhjes, duke dëmtuar rëndë ekosistemin dhe pamjen natyrore të zonës.

Fenomeni përsëritet pothuajse çdo vit sa herë që ka reshje të dendura.
Grykëderdhja e Semanit, një zonë me potencial të lartë natyror dhe ekologjik, rikthehet kështu edhe një herë në epiqendrën e ndotjes, duke ngritur shqetësime serioze mjedisore dhe kërkesa urgjente për ndërhyrje.




